Instituti tendencioz
Partitë shqiptare shprehin dyshime ndaj rezultateve të anketës që i bëri publike të mërkurën Instituti “Pavel Shatev”. Ata në reagimet e tyre thonë se kjo është një tendencë e rrezikshme për demotivimin e votuesve shqiptarë dhe përçarjen e subjekteve politike shqiptare. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) rezultatet e sondazhit sipas të cilave popullata shqiptare në Maqedoni është e përfshirë nga apatia dhe mosinteresimi për subjektet e tyre politike, flasin qartë se bëhet fjalë për një sondazh të porositur, në kohën kur është shtuar shumë presioni ndaj Maqedonisë për të arritur një kompromis lidhur me emrin me Greqinë. Nga Demokracia e Re (DR) thonë se VMRO-DPMNE-ja nëpërmjet Institutit “Pavel Shatev”, tenton ta kanalizojë dhe minimizojë politik bërjen e subjekteve shqiptare. Në komuikatën e kësaj partie thuhet se “formulimi i pyetjeve dhe paraqitja e tyre bën të qartë qëllimin e Institutit për të paraqitur ndasitë etnike brenda shoqërisë sonë dhe për më shumë, për t’i paraqitur ato në dritë negative në kontekst të përpjekjeve për të zgjidhur çështjen e emrit”.
Gjithashtu BDI-ja përkujton porositësit dhe realizuesit e këtij sondazhi se një tendencë e këtillë është seriozisht e rrezikshme dhe, përpos që nuk arrin të unifikojë faktorin politik maqedonas, ajo dëmton rëndë përpjekjet e përgjithshme për të arritur kohezion etnik në vend. Visar Ramadani nga Demokracia e Re thotë se kësaj ankete mund t’i besojnë vetëm simpatizuesit e VMRO-DPMNE-së dhe porositësit.
“’Pavell Shatev’ përmes anketave dhe sondazheve tenton të kanalizojë politikbërjen e partive politike shqiptare sipas dëshirave dhe nevojave të këtij ‘Instituti’. Duke marrë parasysh faktin se themelues dhe menaxhues i tij është partia maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE-ja, atëherë qartë mund të konstatohet synimi dhe qëllimi i publikimit të këtyre të dhënave. Ai është minimalizimi i rolit të partive politike shqiptare në skenën politike në Maqedoni. Konstatim ynë është se këtyre anketave mund t’iu besojnë vetëm simpatizuesit e VMRO-DPMNE-së dhe askush tjetër”, thotë Visar Ramdani nga DR-ja.
Anketa e fundit e realizuar nga Instituti “Pavel Shatev”, vë në pah një fenomen të çuditshëm për zhvillimet politike në Maqedoni, rënien drastike të rejtingut të partive shqiptare. Rezultatet e anketës së institutit të afërt me pushtetin, tregojnë edhe dallimin e madh në mbështetje që gëzojnë partitë politike.
Të pyetur se kush do të fitonte nëse në vjeshtë mbahen zgjedhje, 36.8 për qind konsiderojnë se kjo do të jetë VMRO-DPMNE-ja, përderisa 10,7 se do të jetë LSDM-ja, për BDI-në janë deklaruar vetëm 2.3 për qind, kurse për PDSH 1.5 për qind. Më shumë se 43 për qind e e qytetarëve janë të papërcaktuar.
Ndërkaq, sipas sondazhit të fundit të Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), Bashkimi Demokratik për Integrim kishte tetë për qind, ndërsa, PDSH-ja katër për qind.
Krahasuar rezultatet e sondazhit të IRI-it me atë të Pavel Shatev, del se BDI ka shënuar rënie drastike prej 5.7 për qind, ndërsa PDSH-ja 2,5 për qind.
