Javët vendimtare për emrin
Maqedonia ka arritur të harmonizojë qëndrimet me Greqinë për çështjen e emrit, por kjo duhet për një afat dyjavor të bëhet publike që t’i jepet hapësirë organizimit të referendumit dhe të hapë integrimet euroatlantike të vendit vlerësojnë analistët.
Ata më tej thonë se samitet më tepër kanë karakterin promovues, por Maqedonia nuk duhet të presë samitet e radhës pasi që për atë ka marrëveshje nga Samiti i Bukureshtit, para dy viteve.
Analisti i politikës së jashtme, Mersel Bilalli duke analizuar proceset eurointegruese të Maqedonisë dhe politikat që ndërmerren për këtë çështje, thotë se ka harmonizim të qëndrimeve mes dy palëve dhe kjo së shpejti duhet të bëhet publike që fillimisht do të ishte një sinjal pozitiv për Samitin e Lisbonës, në të kundërtën, do të futemi në turbulenca të ndryshme.
“Mendoj që nëse brenda dy javësh nuk bëhet publike marrëveshja për çështjen e emrit me Greqinë, shanset dukshëm do të zvogëlohen, apo nuk do të ekzistojnë për proceset euroatlantike, pasi që afati ligjor për shpalljen e referendumit nuk mjafton. Nëse nuk shpallet marrëveshja objektivisht do të hymë në turbulenca të ndryshme apo katastrofale”, shprehet Mersel Bilalli.
Ndërkaq, edhe ish-ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin shprehet se Maqedonia nuk duhet të pres samitet e NATO-s. Sipas tij, samitet më tepër kanë elementin promovues, ndërsa autoritetet e vendit duhet të fokusohet në zgjidhjen e problemit të emrit me Greqinë.
“Në pajtueshmëri me komunikatën e Samitit të Bukureshtit u tha shumë qartë se tre shtetet kanë plotësuar të gjitha standardet e nevojshme për anëtarësim në NATO, ndërsa Maqedonisë iu dha mundësia që kur ta zgjidhë problemin e emrit dhe të anëtarësohet në Aleancë. Kjo mund të ndodhë jo vetëm në samit, por edhe në mbledhje të ambasadorëve”, deklaroi Ruzhin. Ai thotë se në asnjë dokument nuk thuhet se duhet të pritet ndonjë samit që ndonjë vend të anëtarësohet, ndërsa ata më tepër kanë element promoves. Në Samitin e NATO-s që do të mbahet në nëntor në Lisbonë të Portugalisë, Alenca Veriatlantike pritet të miratojë dokument ku do të rrisë standardet për anëtarësim”, shpjegon Nano Ruzhin.
Maqedonia po i kalon gati të gjitha afatet e parapara për integrim dhe inkuadrim në Bashkimit Evropian dhe në NATO. Tani më dihet se Këshilli i Ministrave në Bruksel të martën do të fillojë negociatat me Islandën, ku pritej që edhe Maqedonia bashkë me atë të fillojë negociatat. Enigmatike ngelet nëse samiti i radhës i NATO-s, do të jetë afat përfundimtar për inkuadrimin e Maqedonisë në NATO.
Takim BE-Maqedoni
Në Bruksel do të mbahet takimi i shtatë i Këshillit për stabilizim dhe asociim, në të cilin do të shqyrtohen arritjet e Maqedonisë në procesin për inkuadrim në Bashkimin Evropian, kriteret politike dhe ekonomike, zbatimi i Marrëveshjes për stabilizim dhe asociim, bashkëpunimi financiar ndaj jurisprudencës së BE-së. Në takim në emër të BE-së do të kryesojë ministri i Punëve të Jashtme i kryesuesit aktual të Belgjikës, Stiven Vanakere, ndërsa do të merr pjesë edhe eurokomisari Shtefan File, ndërsa nga Qeveria do të jenë ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski dhe zëvendëskryeministrat Abdilaqim Ademi dhe Vasko Naumovski.
