|

Kurbeti asimilues

Ndoshta shumë prej jush kanë dëgjuar këto ditë të afërmit e tyre të vegjël që kthehen nga vendet e perëndimit të flasin në gjuhë të tjera shumë rrjedhshëm, por jo dhe në shqip. Dikush e vë buzën në gaz, dikush dhe mburret me këtë fakt, por si qëndron e vërteta. A është kjo rruga drejt një asimilimi të sigurt.

Ekziston një marrëveshje që në kohën e ish-Jugosllavisë, e cila zbatohet edhe sot. Sipas saj, të gjitha gjuhët që fliteshin në ish-Jugosllavi duhet të mësoheshin edhe në Gjermani nga emigrantët. Në disa republika federative në Gjermani sponsorizohet nga shteti dhënia e mësimit të gjuhës shqipe, por kjo nuk e mbulon situatën e tendosur që po krijohet. Sipas Sadush Memedit, shqiptarit që jeton në Ludvikshafen, prindërit shqiptarë po i bashkëngjiten valles së shtetit gjerman për asimilim të gjuhës shqipe te fëmijët shqiptarë.

“Nga përvoja që e përjetoj e shoh se mbi 90 për qind e fëmijëve shqiptarë kanë pengesa serioze gjatë komunikimit në gjuhën shqipe. Jo vetëm me njëri-tjetrin, por dhe me prindërit flasin shumë shpesh gjermanisht. Në qytetin ku jetoj edhe pse komuniteti shqiptar nga Maqedonia është në numër të konsiderueshëm, në shkollën shqipe që është një herë në javë, ne jemi familja e vetme që kemi dy vajzat tona aty. Për mësimin në gjuhën shqipe, prindërit shqiptarë kanë rënë në letargji. Krejt e kundërta ndodh për mësimin e fesë, numri i fëmijëve që shkojnë për të mësuar mbi fenë është i madh.”, tha Memedi.

Në Manhajn të Gjermanisë nga Ministria e Arsimit të Kosovës u organizua një kuiz diturie për 30 shkolla nga e gjithë Gjermania dhe ku fëmijët shqiptarë provonin njohuritë e tyre nga gjuha shqipe. Prindërit syçelë përpiqen çdo ditë të përcjellin gjuhën, zakonet shqiptare te fëmijët e tyre, por vetë shteti gjerman po ndërmerr një fushatë të vërtetë asimilimi, duke përfshirë arsimin e çdo aspekt tjetër jetësor.

“Shteti gjerman po përpiqet me çdo kusht, po investon shumë, jo vetëm në politikën arsimore, por dhe para të gatshme për të “integruar” dhe shqiptarët në shoqërinë gjermane. Për fëmijët e emigrantëve ku përfshihen dhe ata shqiptarë ka programe të veçanta arsimore ku mësohet historia dhe kultura gjermane. Drejtoresha e shkollës ku mësojnë vajzat e mia, ka deklaruar se nuk do të lejohen fëmijët të flasin gjuhën e tyre (shqipe) në shkolla, as në minutat e pushimit. Pretendimi: të mos dallohen fëmijët e huaj. Prova e radhës ishte pohimi nga mjekja pediatre që dy motrat e mëdha të flasin me motrën më të vogël vetëm në gjermanisht, pasi e ka të domosdoshme për përmirësimin e zhvillimit.”, vazhdon me faktet asimiluese Memedi.

Ka dhe prindër të cilët janë të kënaqur me politikën që zhvillohet në vendin që kanë zgjedhur të jetojnë. Zair Izairi tregon se në Uells të Austrisë në grupet e çerdheve dhe të shkollave nuk janë të ndarë fëmijët shqiptarë nga ata me kombësi tjetër, qoftë dhe austriakë. “Për momentin jam i kënaqur me politikën që po ndiqet në Uells. Fëmijët shqiptarë kanë mundësi që çdo ditë të mësojnë nga një orë gjuhën shqipe, si në çerdhe dhe në shkolla. Nuk bëjnë ndarje në grupe dhe sillen shumë mirë. Krejt ndryshe ka qenë në vitet 90 kur unë jam shkolluar atje. Por, mendoj se duhet të krijoj bazën për kushte të mira për fëmijët, do përpiqem që të vazhdojnë shkollën e më pas të vijmë këtu. Unë nuk mund të pretendoj që këtu (Maqedoni) është vendlindja e tyre, sepse kanë lindur atje, por unë mundohem çdo ditë t’u shpjegoj se nga i kanë rrënjët. Fëmijët kënaqen kur vijnë këtu.”, tha Izairi.

Fatmir Ibraimi, i cili punon prej shumë vitesh në Gjenevë të Zvicrës, pohon jo vetëm për pesë fëmijët e tij, por në përgjithësi se fëmijët shqiptarë janë duke u asimiluar. “Shteti me politikën e vet po na i asimilon fëmijët. Fëmijët tanë i lënë të përzierë në shkolla me zezakë e spanjollë, por jo dhe me zviceranë. Kualiteti i shkollave ku i shpien fëmijët tanë është i ulët, e në të ardhmen prej tyre nuk mund të presësh kuadro, vetëm punëtor krahu. Politika e shtetit është e tillë që dhe paratë të cilat fitohen të mbeten sërish në vend. Me rritjen e fëmijëve ata e zgjerojnë shoqërinë me të huajt e më pak shoqërohen në familje.”, tha Ibraimi.

Fëmijët po asimilohen

Sipas Sadush Memedit, shqiptarit që jeton në Ludvikshafen, prindërit shqiptarë po i bashkëngjiten valles së shtetit gjerman për asimilim të gjuhës shqipe te fëmijët shqiptarë. “Nga përvoja që e përjetoj e shoh se mbi 90 për qind e fëmijëve shqiptarë kanë pengesa serioze gjatë komunikimit në gjuhën shqipe. Jo vetëm me njëri-tjetrin, por dhe me prindërit flasin shumë shpesh gjermanisht”, shprehet Memedi.

Jam i kënaqur me politikën në Uells

“Për momentin, jam i kënaqur me politikën që po ndiqet në Uells. Fëmijët shqiptarë kanë mundësi që çdo ditë të mësojnë nga një orë gjuhën shqipe, si në çerdhe dhe në shkolla. Nuk bëjnë ndarje në grupe dhe sillen shumë mirë. Krejt ndryshe ka qenë në vitet e 90-ta kur unë jam shkolluar atje. Por, mendoj se duhet të krijoj bazën për kushte të mira për fëmijët”, tha Zair Izairi i cili jeton në Uells të Austrisë.

Leave a Reply

ilirida.net – Online PRESS Center Powered by ilirida.net
Entries (RSS) and Comments (RSS).